fbpx

Vigan Grapci, IT Technician në Raiffeisen Bank Kosovo

Vigan Grapci është student i vitit të dytë në Cacttus Education. Vigani është në përfundim të studimeve në drejtimin Administrim i Rrjetave dhe Sistemeve. Lidhur me drejtimin e tij të studimeve Vigani tregon:

Trajnimet për administrimin e rrjetave (CCNA) qe i kam ndjekur në Cacttus para se të bëhet shkollë e lartë profesionale kanë qenë një prej arsyeve që unë e kam zgjedhë drejtimin e Administrimit të Rrjetave dhe Sistemeve, mirëpo edhe kurikula që Cacttus Education e ka ofruar ka qenë arsye për me zgjedhë këtë drejtim.

Vigani aktualisht është angazhuar në punë në Raiffeisen Bank Kosovo, në departamentin e IT-së. Në kuadër të punës së tij hyn kryesisht mirëmbajtja e kompjuterëve të korporatës, si në software poashtu edhe në hardware. Përmes një interviste të shkurtër me Viganin, mësuam më shumë rreth punës që ai bën dhe si i aplikon në punë njohuritë e fituara gjatë studimeve:

Na përshkruaj një ditë pune:
Nje dite pune është kryesisht e zakonshme, fillon në orën 8 dhe është e zakonshme që në orët e para të punës të ketë fluks të madh të kërkesave qofshin përmes VoIP, emailave apo tiketave. Kërkesat janë nga më të ndryshmet si psh: resetimi i fjalëkalimeve (passwords) të Domain Users, apo kartelave varësisht nga natyra e punës, apo edhe kërkesa për troubleshoot të aplikacioneve, printerave, apo edhe gabimeve (errors) të ndryshme. 

Sa aplikohen studimet aktuale në profesionin që e ushtron?
Studimet aplikohen bukur shumë, gjithashtu kanë ndikim të madh në zhvillimin tim në fushën e IT-së. Kam krijuar një përvojë shum të mirë gjatë studimeve që tash mundem me i zbatu në praktikë çdo ditë të punës.

Cila prej lëndëve që ke ndjekur në kuadër të Administrimit të Rrjetave dhe Sistemeve të hyn më së shumti në punë në profesionin tënd?
Lëndët të cilat më së shumti më hyjnë në punë në profesionin që e ushtroj janë CCNA 1,2,3,4 dhe Infrastruktura e Serverëve 1 dhe 2.

Sa të kanë ndihmuar studimet në Cacttus Education për t’u inkuadruar në tregun e punës?
Cacttus Education ka qenë i inkuadruar drejtpërdrejtë në plasimin tim në tregun e punës, me marrëveshjet të cilat i ka me partnerët e vet për inkuadrimin e studentëve në tregun e punës.

A ke ndonjë koment apo diçka shtesë për të shtuar për fund?
Do të doja të shtoja se jam shumë i lumtur që kam pasë mundësi me u përgatitë në mënyrë profesionale nga Cacttus Education, dhe mundësinë të cilat i kanë krijuar për ne. Këshilla ime për studentët e rinjë është që të jenë të përkushtuar në atë që e zgjedhin, dhe mandej gjithçka është shumë e lehtë edhe e arritshme, çfarëdo qoftë ajo.

7 arsye pse po preferohen më shumë certifikimet profesionale sesa diplomat universitare

Nëse sapo e keni përfunduar shkollën e mesme, apo keni vendosur të orientoheni në një drejtim të ri, mund të jetë pakë e vështirë të përcaktoheni në rrugën e edukimit tuaj. Natyrisht, secili prej nesh ka dëshirë të përfitojë sa më shumë nga edukimi në mënyrë që të mund të inkuadrohemi në tregun e punës të paisur me njohuri, të jemi të gatshëm për punë dhe të aftë për të punuar në profesionin që kemi dëshirë. Në tregun e punës që vazhdimisht po ndryshon dhe që ka një konkurrencë shumë të madhe, shpeshherë edukimi profesional ju bën më të përgatitur për arritjen e qëllimeve, më shumë sesa një diplomë universitare.

Ja ku i keni 7 arsye përse po preferohen më shumë certifikimet dhe studimet profesionale sesa diplomat:

Certifikimet profesionale ju përgatisin për profesionin tuaj:
Shumica e diplomave fokusohen në të mësuarit e gjërave në mënyrë teorike.  Edukimi professional dhe certifikimet profesionale ju mundësojnë të kuptoni shkathtësitë që ju nevoiten dhe njëkohësisht ju mundëson t’i vendosni këto shkathësi në praktikë. Kjo ua bën të mundshme të inkuadroheni menjëherë në tregun e punës, me të gjitha njohuritë dhe shkathësitë e nevojshme.

Keni gjasa më të mëdha të punësoheni:
Aktualisht ka një mungesë të studentëve që shkollohen në shkolla profesionale. Pasi që shkollimi i lartë professional ju përgatitë për punë duke ju paisur me shkathtësitë që ju nevoiten për të performuar në një profesion të caktuar, kjo ndikon pozitivisht  tek individët që ndjekin shkollimin profesional dhe trajnimet e ndryshme që të punësohen më shpejtë sesa personat që kanë diplomë bachelor por që nuk kanë përvojë.

Mund të fitoni më shumë
Shpeshherë certifikimet profesionale, pasi që ju paisin me shkathtësi specifike, sjellin më shumë të ardhura në punë.

Certifikimet kërkojnë më pak kohë për tu fituar
Përderisa diplomat universitare kërkojnë të paktën tri vite për t’u fituar, për diplomat e shkollimit professional nevoiten vetëm dy vite, kurse për certifikimet profesionale shpesh edhe më pak se dy vite. Koha që e kaloni duke ndjekur një shkollim formal shkurtohet, e si rrjedhojë ju mund të kyqeni në tregun e punës dhe të përfitoni më herët nga puna.

Certifikimet janë më të lira sesa diplomat universitare
Certifikimet profesionale mund të kushtojnë më lirë sesa gjysma e studimeve.

Mësimi është fleksibil
Shumica e certifikimeve profesionale mund të ndiqen kurdo gjatë vitit, sepse për dallim nga shkollimi universitar nuk kanë nevojë të ndjekin një orar kalendarik të edukimit. Madje ka edhe certifikime profesionale te cilat mund të behen online. Si rrjedhojë ju mund të ndiqni programe të ndryshme certifikuese paralel me punën.

Certifikimet shpesherë kanë më pak parakushte për t’u ndjekur.
Për të ndjekur certifikime shpeshëherë nuk nevoitet ndonjë parakusht. Kjo e lehtëson ndjekjen e trajnimeve dhe marrjen e certifikimeve të ndryshme profesionale për programet të cilat ju dëshironi.

Inkuadrimi në tregun e punës mund të jetë i vështirë, por me kualifikimet e duhura ju do ta keni më të lehtë të punësoheni dhe t’i vini shkathtësitë tuaja në përdorim. Në shumicën e rasteve certifikimet profesionale, ose diploma e shkollimit professional janë zgjedhja më e mirë:  vie me çmim më të lirë, dhe kërkon më pak kohë dhe përpjekje, dhe shpesh ju përgatitë më mirë për karrierën tuaj të re.

 

 

Artikull i përshtatur nga: The College for Adult Learning

Intervistë me profesoreshën Rrezarta Pllana

Rrezarta Pllana është profesoreshë në Cacttus Education dhe ligjëron lëndën “Dizajnimi dhe zhvillimi i bazave të të dhënave”. Një gjë që i karakterizon ligjëruesit në Cacttus Education është përvoja që ata kanë në fushën të cilën ligjërojnë, gjë që sjell një perspektivë të re për studentët. Rrezarta Pllana ka mbi 3 vite përvojë në mësimdhënien universitare, dhe mbi 15 vite përvojë pune me databaza. Si rrjedhojë, studentët që ndjekin lëndën e databazave kanë rastin që vazhdimisht të mësojnë gjëra të reja nga mësimdhënësja që njëkohësisht është edhe profesioniste në këtë fushë.

Rrezarta Pllana aktualisht është edhe kandidate për doktoratë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Menaxhment. Ajo poashtu ka publikuar për STIKK “Femrat në teknologji”, punim ky që tregon për sfidat e femrave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, i publikuar në Prishtinë, Gusht 2014.

Përmes intervistës mësuam më shumë rreth asaj se çka e motivon atë për të punuar si ligjëruese, dhe çfarë qasje ka ndaj studentëve për t’i nxitur të mësojnë dhe punojnë për të krijuar karrierë në këtë fushë:

Çka të motivon të përpiqesh vazhdimisht për ta dhënë më të mirën në fushën e mësimdhënies: Teknologjia që vazhdimisht ndryshon, është diçka që të nxitë për të qenë vazhdimisht në rrjedha më ndryshimet më të fundit, dhe të nxitë që të përgatitesh vazhdimisht.

Pse keni zgjedhur të bëheni mësimdhënëse: Mendoj që është punë që më kompleton.  Më pëlqen kur studentët i shoh në kureshtje për dituri.

Çfarë filozofie të mësimdhënies keni: Kam dëshirë që studentët të cilët nuk kanë njohuri në (nuk kanë pasur më herët përvojë me) databaza, deri në fund të kursit të kenë dëshirë jo vetëm të mësojnë më shumë, por edhe të punojnë në profesione të lidhura ngushtë me databaza.

Çfarë bëni në klasë për ta nxitur të mësuarit tek studentët: Vazhdimisht synoj t’i motivoj studentët që të jenë sa më të përqëndruar dhe produktivë gjatë mësimit. Këtë e bëj përmes organizimit të prezantimeve, ushtrimeve si dhe sfidave ditore që janë një lloj kuizi që i nxitë ata të  jenë aktivë.

Si i vlerësoni njohuritë e studentëve: Vlerësimi i studentëve bëhet në mënyrë të vazhdueshme, përmes detyrave dhe testeve në periudha 2 javore, përmes sfidave ditore dhe projektit final për databazë.

Si e përshtatni stilin tuaj për t’i motivuar studentët: Mundohem që t’a gjej mënyrën për t’i motivuar studentët e rinjë, dhe për t’ua shtuar dëshirën për të mësuar. Këtë e bëj duke iu përshtatur ‘learning type’ të studentëve dhe përmes përdorimit të teknikave të ndryshme varësisht prej madhësisë së grupeve në klasë.

Çfarë po lexoni më së shumti kohëve të fundit: Momentalisht po lexoj materiale e libra të ndryshëm që kanë të bëjnë me temën time të doktoraturës “Menaxhimi i dijes”.

Çka të pëlqen lidhur me Cacttus-in (dhe Cacttus Education): Me Cacttus-in kam një përvojë shumë të mirë. Më pëlqen organizimi dhe më pëlqen mënyra se si trajtohemi ne si trajnerë e mësimdhënës, si dhe përkrahja dhe liria për të qenë kreativë e për të përdorur teknika të ndryshme për menaxhimin e klasës dhe mësimdhënien.

Një thënie: “Përkushtimi, vullneti dhe puna, mendoj që e sjellin rezultatin”.