fbpx

Cacttus Education së bashku me Cyber Academy dhe CACTTUS organizuan panelin mbi sigurinë kibernetike

Siguria kibernetike është bërë një shqetësim kryesor mes të gjithë njerëzve në mbarë botën. Kjo është pjesërisht për shkak sulmeve kibernetike drejtuar kompanive të ndryshme në vitet e fundit.

Duke parë aktualitetin e kësaj teme dhe rëndësinë e hapjes së diskutimit rreth çështjes së sigurisë kibernetike, Cacttus Education së bashku me Cyber Academy dhe CACTTUS organizuan panelin mbi sigurinë kibernetike.

Si panelistë gjatë diskutimit ishin: Drinor Selmanaj- themelues i Cyber Academy, Albion Bikliqi- Menaxher i Sigurisë së Informacionit në Cacttus Sha dhe Arti Karahoda- specialist i sigurisë kibernetike në Raiffeisen Bank Kosovo.

Drinor Selmanaj foli për temën e “Cyber security career path” ku foli për karrierat e fushës së sigurisë kibernetike. Ai ceku se siguria kibernetike nuk është më e ardhmja, por është e tashmja. Sipas Selmanaj, profesionet e fushës së sigurisë kibernetike janë prej profesioneve që kërkojnë më të mirën e mundshme prej të gjitha fushave të teknologjisë. Ku, për të qenë një profesionist i mirë i fushës së Cyber Security ju duhet të keni një diapazon sa më të gjerë, pasi që sa më mirë t’i kuptoni sistemet e ndryshme, aq më të aftë do të jeni për të performuar dhe për tu gjindur në situata të ndryshme.

Albion Bikliqi foli për anën rregullative të sigurisë kibernetike, duke ju drejtuar kryesisht kompanive të ndryshme. Bikliqi gjatë panelit ceku rëndësinë e auditimit të proceseve të sigurisë në kompani, ku ndër të tjera përmendi rëndësinë e klasifikimit të të dhënave dhe qasjes tek to. Ai tha që është shumë e rëndësishme aplikimi i standardave për mbrojtjen e të dhënave, pasi që në këtë mënyrë standardizohet edhe pjesa e mbrojtjes ndaj sulmeve potenciale kibernetike, që prekin të dhënat e personale të stafit, klientëve apo bashkëpunëtorëve të kompanisë.

Arti Karahoda, në cilësinë e ekspertit të sigurisë kibernetike, foli edhe për pjesën e rreziqeve të sigurisë kibernetike. Ai ndër të tjera përmendi edhe ‘phishing emails’ si një ndër metodat më të shpeshta për të realizuar sulme në fushën e sigurisë kibernetike. Arti ceku se: “Shumica e sulmeve ndodhin nga ky lloj i sulmeve. Sidomos këtë vit është sofistikuar edhe më shumë mënyra se si këto sulme po realizohen”.

Gjatë panelit të diskutimit u përfshinë tri prej pikave më të rëndësishme sa i përket sigurisë kibernetike, ku u fol për profesionet e reja që po krijohen nga kjo fushë, rregullat dhe ligjet që ju ndihmojnë kompanive dhe individëve, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike të cilat po sofistikohen nga dita në ditë.

Ne jemi të vetëdijshëm që krimet kibernetike janë shumë aktive, prandaj është e rëndësishme të  rrisim vetëdijësimin ndaj krimeve kibernetike, si t’iu shmangemi atyre dhe si t’ju qasemi profesioneve të së ardhmes që e përfshijnë këtë fushë.

Vetëm edhe 2 bursa për studime! Apliko Tani!

Edhe 2 bursa kanë mbetur për drejtimin Administrim i Rrjetave dhe Sistemeve.

Bursat ofrohen nga Cacttus Education në partneritet me USAID në kuadër të projektit “Partneriteti për Impaktin në TIK”. Dy kandidatët me rezultatet më të mira përfitojnë bursë studimi deri 70%.

Përpos studimeve, përfituesit e projektit poashtu përfitojnë edhe nga mundësitë për punë praktike në fushën e TIK-ut, ‘incubation’ dhe ‘excubation’ dhe punësimi në kompani të ndryshme në fushën e teknologjisë.

Aplikimi mbetet i hapur deri më 01 Nëntor 2019, sipas principit “first come, first served”.

Për të përfituar nga programi i bursës APLIKO KËTU.

Vizitë me fëmijët e shkollës “Naim Frashëri” në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike

Në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike, Cacttus Education dhe CACTTUS po vazhdojnë mbajtjen e trajnimeve vetëdijësuese për fëmijët e shkollave fillore. Kësaj radhe trajnimi u mbajt në shkollën fillore “Naim Frashëri”.

Trajnimi u mbajt me fëmijët e klasave të III-ta, të cilët ndoqën trajnimin me shumë entuziazëm, dhe pyetje të shumta për trajnerin.

Cacttus Education dhe CACTTUS rëndësi të veçantë i japin edukimit të fëmijëve duke i informuar se si të jenë vigjilentë dhe të mos bëhen viktimë e sulmeve të cilat janë përhapur kohëve të fundit.

“Të krijojmë një botë më të sigurtë kibernetike së bashku.”