Prej kohës kur fëmijët mund ta kapin një objekt me duar të tyre, fëmijët zgjaten të kapin cilëndo pajisje elektronike që ju del përpara, veçanërisht telefonat mobil dhe kompjuterët. Kur të filloni të vëreni se tableti juaj është përplot gjurmë të gishtërinjve të fëmijës, atëherë është koha që ta konsideroni lejimin e përdorimit të pajisjes teknologjike nga fëmija juaj. Në vijim po ju shpalosim disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë se si t’i prezantoni fëmijët tuaj me pajisjet teknologjike.
Prisni deri sa të jenë të gatshëm për institucionin parashkollor:
Vetëm pse të vegjëlve tuaj ju pëlqen të shtypin butona e të shikojnë video, kjo nuk do të thotë që ata janë të gatshëm për ta përdorur kompjuterin. Por në një mjedis të kontrolluar, fëmijët e vegjël që nga 4 ose 5 vjeç janë në gjendje të përfshihen në aktivitete dhe të mësojnë duke përdorur tabletët dhe telefonat e mençur.
Caktoni nivelin e qasjes së fëmijëve në programe përmes “Parental Guidance”:
Ekspertët rekomandojnë që prindërit të përfshihen në përvojën e fëmijëve të tyre me pajisje teknologjike. Qëllimi është që prindërit të jenë në gjendje të monitorojnë përdorimin e mediave dhe programeve nga fëmijët e tyre, dhe ta kontrollojnë qasjen e tyre në lojëra e programe të caktuara.
Limitoni kohën e ekspozimit në ekran:
Si fillim lejohuni fëmijëve një qasje prej gjysmë ore në ditë. Me rritjen e fëmijës suaj, ju mund t’i jepni më shumë liri në përdorimin e pajisjeve elektronike. Por mos harroni se nëse i lejoni fëmijës suaj të kalojë një kohë shumë të gjatë para ekranit, kjo gjë mund të shkaktojë problem me shikim.
Përmbajtja ka rëndësi:
Pa marrë parasysh se a përdorë fëmija juaj telefon të mençur, tablet apo kompjuter, ajo se për çfarë e përdorë atë ka shumë rëndësi. Është e rëndësishme që programet, lojërat, videot e materialet e tjera, të kenë përmbajtje të përshtatshme për moshën e fëmijës suaj. Sigurohuni që programet dhe lojërat që fëmija juaj përdorë, të jenë me përmbajtje që zhvillojnë shkathtësitë kreative të fëmijës suaj.
Qasje në një dimension tjetër të të mësuarit:
Për fëmijët që vijojnë shkollën, një telefon i mençur ose një tablet, mund t’i ofrojë qasje në një dimension të ri të të mësuarit që ofron më shumë sesa të mësuarit tradicional që bëhet në klasë. Prandaj këto pajisje elektronike i japin fëmijës suaj mundësi të gjejnë më shumë përmbajtje lidhur me një lëndë të caktuar.
Pra teknologjia ofron shumë mundësi për zhvillimin e fëmijës suaj. Por mos harroni, gjithmonë të caktoni rregulla në përdorimin e pajisjeve teknologjike, për shkak se fëmijët tek e fundit janë fëmijë dhe kanë nevojë të angazhohen edhe në aktivitete të tjera që sigurojnë mirëqenien e tyre.