fbpx

Pse ‘milenialët’ dëshirojnë të jenë shefi i vetvetes

Të gjitha gjeneratat shoqërohen me nga një nofkë ose nga një stereotip, të cilin ose synojnë ta përmbushin apo t’i shmangen. Milenialët janë bërë sinonim me idenë e një personi që ndjehet se ka gjithmonë të drejtë, është dembel dhe pret që secili rreth tyre ta japë maksimumin, përderisa ata vet kontribojnë më së paku. Është ky stereotipi që ka mbetur, por kjo nuk e bën atë të vërtetë.

Milenialët po e marrin botën me shpejtësi, pasi që gjenerata e tyre po rritet. Ata po ndryshojnë mënyrën se si produktet po vendosen në treg dhe cilat produkte po prodhohen. Ata poashtu po lënë gjurmë në industritë tradicionale, duke sfiduar idenë e qëndrimit në punën e njejtë për periudha të zgjatura të kohës. Para se milenialët të shfaqeshin në tregun e punës, njerëzit mundoheshin ta gjejnë një vend pune në zyrë, apo ndonjë punë tjetër sa për të paguar faturat, dhe pastaj nuk i ndaheshin asaj pune dhe qëndronin aty. Milenialët dëshirojnë diçka më shumë. Ata dëshirojnë të jenë shefi.

Shumë prej jush do të pyesnit se përse njerëzit e rinjë, që përballen me aq shumë kritika nga gjeneratat e vjetra kanë kaq shumë optimizëm, dhe për t’u përgjigjur në këtë pyetje duhet t’i shikoni disa prej faktorëve me rëndësi. Milenialët janë rritur në një botë tërësisht të re për dallim nga gjeneratat më të vjetra, prandaj ata kanë shumë arsye për të ushqyer aspiratat e tyre.

Ata mendojnë që rrugëtimi i vjetër në karrierë është i padobishëm
Secila gjeneratë ka rastin që të shohë diçka që është radikalisht ndryshe nga gjeneratat e vjetra. Për milenialët, kur kanë lindur kanë ekzistuar CD player-ët e mëdhenjë, kurse brenda një dekade ata kanë qenë dëshmitarë të ngritjes së smartphones dhe veturave elektrike. Me gjithçka të re që u ka rënë në duar, ata kanë parë se si e vjetra po bie, dhe tani të njejtën po e shohin edhe në tregun e punës.

Milenialët e kanë të qartë se për ta fituar punën e parë ata kanë nevojë për shumë përvojë në fusha të ndryshme. Ka shumë mundësi për praktikë dhe punë vullnetare prej të cilave mund të përfitojnë, prandaj është e vështirë për ta, ta konsiderojnë të qëndrojnë në punën e njejtë për 30-40 vite. Edhe kur janë të lumtur në punën që e bëjnë, 60% e milenialëve janë të hapur drejt mundësive të reja në punë. Ata janë gjithmonë të gatshëm të adaptohen në diçka të re dhe në benefitet potenciale që mund t’i sjellin.

Ata ia besojnë vetëm vetes me financat e tyre
Një gjë tjetër që ka formësuar mënyrën se si milenialët i kanë parë ndryshimet gjatë rritjes së tyre ka qenë kriza ekonomike e vitit 2008. Ata kanë parë se si të rriturit, tek të cilët ata janë mbështetur dhe kanë pritur prej tyre t’i udhëheqin, nuk kanë ditur se çpo ndodhë apo si të veprojnë. Ata kanë shikuar se si njerëzit kanë hequr për të kursyer para dhe për t’u kthyer prapë nga goditja që e kanë marrë, që ka zgjatur për 4 vite.

Për shkak të asaj periudhe të krizës financiare, milenialët kanë filluar të kursejnë para dhe të mësojnë se si të kujdesen për to. Kjo është një prej gjërave që i ka shtyer milenialët që t’ia besojnë vetëm vetes me paratë e tyre. Ky vetëbesim ka nxitur dëshirën e tyre jo vetëm që të jenë shef i vetvetes, por edhe ta krijojnë biznesin e tyre. Afërsisht 75% e 2000 prej milenialëve me të hyrat më të mëdha kanë shprehur mendimin se ka gjasa të mëdha që ata do ta fillojnë kompaninë e tyre. Ata i njohin aftësitë e tyre dhe nuk duan të mbështeten tek askush për t’i arritur ëndërrat e tyre.

Ata dëshirojnë ta ndryshojnë botën
Pasi që e kanë parë botën të ndryshojë, të bëhet copë copë dhe të rregullohet përsëri, milenialët i njohin të dyjat, edhe më të mirën edhe më të keqen që bota mund ta ofrojë. Duke synuar që të bëhen shefi i vetvetes, ata e dijnë se mund ta bëjnë një ndryshim për ta bërë botën një vend më të mirë. Në një hulumtim të ri nga Workplace Trends, rreth 50% e milenialëve kanë definuar ‘udhëheqjen’ si ‘fuqizimin e të tjerëve për të pasur sukses’, në vend se ta zgjedhin definicionin e fjalës ‘udhëheqje’.

Kur milenialëve u jepet mundësia për ta marrë timonin në duar, ata do t’i marrin të tjerët me vete do t’i ngrisin edhe të tjerët së bashku me veten , në mënyrë që tregu i punës të bëhet një vend më pozitiv i nxitur nga puna në ekip. Ata e dinë se si është të ballafaqohen me vështirësitë të vetëm, prandaj ata dëshirojnë ta ndryshojnë vendin e punës  për t’u siguruar  që kjo të mos u ndodhë gjeneratave që vijnë pas tyre.

Është lehtë për njerëzit që t’i kategorizojnë milenialët në kategorinë e njerëzve egocentrikë, kur i shohin ata duke refuzuar diçka që gjithmonë ka qenë normale, por kjo sdo të thotë që ky portretizim i milenialëve është i saktë. Për milenialët që hyjnë në tregun e punës është me rëndësi për ta që të jenë shefi i vetvetes, por jo pse janë duke shikuar t’i bëjnë gjërat më të lehta për veten apo të mos punojnë aq shumë. Në fakt, e vërteta është e kudërta e kësaj.

Milenialët janë mëse të gatshëm të pranojnë më shumë punë dhe përgjegjësi duke marrë përsipër role udhëheqësie sepse ata besojnë që mund ta bëjnë një ndryshim. Ata e dinë se mund të përkujdesen për financat e tyre në mënyrë të pavarur dhe ata mendojnë që mund t’u ndihmojnë të tjerëve përderisa punojnë në karrierën e tyre. Kjo i bën ata të jenë e kundërta e stereotipeve me të cilat është etiketuar gjenerata e tyre, dhe kjo është diçka që duhet të inkurajohet.

Artikull i përshatur nga Forbes

Comments are closed.