Uta Ibrahimi ndau eksperiencat e saj me studentët e Cacttus Education
Uta Ibrahimi, bjeshkatarja e parë nga Kosova dhe shqipëtarja e parë që është ngjitur në majen e malit Everest dje mbajti diskutim të hapur me studentët e Cacttus Education. Uta gjatë diskutimit tregoi për rrugëtimin dhe aventurat e shumta të saj dhe inspiroi studentët që të ndjekin pasionin e tyre dhe të arrijnë në krye të gjërave.
Uta vazhdon të ndjekë ëndërrat e saja, në profesion dhe në jetë, dhe ndonëse arritjet e saj janë të shumta, jemi munduar ta bëjmë një përmbledhje të disa prej arritjeve kryesore të saj.
Në maj të këtij viti (2017), Uta është bërë gruaja e parë me kombësi shqiptare që është ngjitur në majën e malit Everest 8848m. Në majën e botës ajo ngriti flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, për të sjellë vetëdijësim mbi natyrën, bjeshkën dhe të drejtat e njeriut. Po në këtë vit, Uta ka ngjitur edhe një majë tjetër prej 8000 metrash, majën Manasulu 8163m dhe me këtë është bërë shqiptarja e vetme që ka ngjitur dy maja prej mbi 8000 metrash. Qëllimi i saj është të vazhdojë të ngjitet në të 14 majat prej 8000 metrash dhe të shpërndajë energji dhe pozitivitet tek njerëzit e kësaj bote.
Uta Ibrahimi ka lindur dhe është rritur në Kosovë. Pas ndjekjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, Uta ka punuar për 12 vite në fusha të marketingut dhe 7 vite në agjensinë e marketingut Ogilvy Karrota. Paralel me këtë, Uta është angazhuar për 5 vite në Dokufest, si organizatore e eventit dhe e marketingut. Më 2015, Uta u largua nga Karrota për t’u nisur në një udhëtim të ri si alpiniste dhe udhërrëfyese. Qëllimi i saj ishte, dhe vazhdon të jetë, që ta ekspozojë bukurinë e vendlindjes së saj tek sa më shumë njerëz që është e mundur – në Kosovë dhe rreth botës.
Sot Uta merret me një numër të projekteve të ndryshme të turizmit, si udhëheqëse turistike dhe bjeshkatare: Projekti Via Dinarica (i financuar nga USAID), dhe festivali Reel Rock në Pejë. Ajo poashtu është e përfshirë në një projekt të GIZ-it në Shqipëri për turizmin ndërkufitar në malin e Sharrit. Uta është themeluese e Butterfly Outdoor Adventure, një kompani që ofron vizita turistike në natyrë në Ballkan dhe ngjitje në bjeshkë nëpër botë.
Të rralla janë historitë inspiruese si ajo e Utës. Studentët e Cacttus Education patën kënaqësinë të inspirohen nga tregimi i saj.
Comments are closed.