fbpx

Pse kemi nevojë për shkolla profesionale?

Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së Sh.B.A-ve, nxënësit e shkollave të mesme, paralel me shkrimin, leximin e matematikën, janë trajnuar edhe për ta ushtruar një profesion të caktuar. Kjo mund të ju tingëllojë e njohur gjithashtu edhe personave më në moshë në vendin tonë, koha kur ata kanë mësuar me shumë përkushtim si të ushtrojnë profesione si metalpunues, zdrukthëtar, apo profesion tjetër përmes të cilit janë krijuar projekte të ndryshme, gjatë orës së punëtorisë.

Por, në vitet e 50-ta, një filozofi e re filloi të shfaqet: sipas kësaj teorie të re studentët duhej të ndiqnin rrugë të ndara të shkollimit, varësisht prej aftësisë së tyre. Sipas kësaj ideje, studentët e kolegjeve do të ndiqnin lëndë akademike tradicionale (gjuhë latine, shkrim kreativ, shkencë, matematikë), por nuk do të ndiqnin trajnime profesionale. Kurse ata studentë që nuk planifikonin të shkonin në kolegj për të studiuar, do të ndiqnin lëndë elementare akademike, së bashku me trajnime profesionale, ose “punëtori”.

Ky lloj i ndarjes së studentëve në bazë të aftësive të tyre nuk zuri vend mirë mes edukatorëve dhe prindërve, që besonin se studentët ndaheshin në bazë të statusit socio-ekonomik dhe racës së tyre. Si rezultat, deri në fund të viteve 50, shkollimi profesional, që dikur shihej si formë e edukimit që ishte mjaft në modë, filloi të shihej si një metodë për reformim që kufizonte minoritet dhe studentët e klasës punëtore.

Kundërshtimi ndaj këtij kategorizimi të studentëve, megjithatë, nuk e solli dot edukimin profesional në rrethin e edukimit akademik. Në vend të kësaj, filloi të përgatisë të gjithë studentët për kolegj, dhe parapërgatitja për kolegj është qendra e kurrikulumit në shkollat e mesme në Sh.B.A.

Por çfarë dëmi mund të sjellë kjo përgatitje për kolegj? Ku qëndron e keqja e kësaj? A nuk përfitojnë të gjithë studentët nga një program akademik 4 vjeçar dhe nga një diplomë? Siç duket, jo në të vërtetë. Së pari, njerëzit kanë një llojllojshmëri të gjerë të shkathtësive dhe mënyrave të të nxënurit. Jo të gjithë mahniten pas mitologjisë greke, janë të dashuruar pas letërsisë viktoriane, ose të pasionuar pas muzikës klasike. Disa studentë janë mekanikë, disa të tjerë janë artistikë. Disa fokusohen më mirë në amfiteatre ku mbahen ligjëratat, të tjerët në klasa të vogla; e prapë ka të tjerë që mësojnë më së miri duke krijuar e praktikuar gjëra të ndryshme dhe do të lulëzonin në një studio, punëtori apo lulishte.

Instruktori ndihmon një student gjatë programit për trajnim në zdrukthëtari, në Chicago, Illinois, Fotografi: Tim Boyle/Bloomberg Charlie Negron

Për më tepër, jo të gjithë regjistrohen në kolegje. Sipas shifrave të fundit nga Byroja e SH.B.A.-ve për Statistika të Punësimit (BLS), 68% e studentëve të shkollës së mesme regjistrohen në kolegj. Pra mbi 30% e të diplomuarve nga shkolla e mesme diplomojnë pa shkathtësi akademike e as shkathtësi për punë.

Por, edhe prej 68% të atyre që regjistrohen nuk ia dalin mbanë aq mirë. Gati 40% prej studentëve që fillojnë programet 4 vjeçare të kolegjeve, nuk i përfundojnë studimet. Ata njëkohësisht humbin kohë të çmuar, humbin para dhe përfundojnë të ngarkuar me borxhe të studimit prej huave bankare. Prej atyre që i përfundojnë studimet në kolegj, 1/3 përfundojnë duke punuar punë që do të mund t’i punoni edhe pa një diplomë 4 vjeçare. Sipas statistikave të BLS-së, 37% e studentëve të punësuar janë duke punuar në punë për të cilat mjafton diploma e shkollës së mesme.

Është e vërtetë se ata që ndjekin studime në kolegj, e nuk pajisen vetëm më një diplomë të shkollës së mesme fitojnë më shumë para përgjatë jetës së tyre, sesa ata që kanë vetëm një diplomë të shkollës së mesme. Megjithatë, studimet kanë disa dobësi. Për shembull, mbi 53% e të sapodiplomuarve nga kolegjet janë të papunë, apo të ndërpunësuar (të punësuar në punë për të cilat ata janë të mbikualifikuar). Të hyrat e të diplomuarve të kolegjeve dallojnë shumë varësisht prej drejtimit të studimeve. Studentët e filozofisë nuk fitojnë gati as sa gjysma e të diplomuarve në drejtimin e biznesit. Së fundmi, hulumtimet kanë krahasuar të hyrat e të diplomuarve nga kolegjet me të hyrat e atyre që posedojnë vetëm diplomën e shkollës së mesme. Por, për një grup të madh të të diplomuarve nga shkollat e mesme profesionale- që pastaj shkojnë të punojnë në profesione që paguhen mirë- gjërat duken shumë mire.

Megjithatë, përkundër provave që po shtohen dita ditës që dëshmojnë se programet 4 vjeçare të studimit po u hyjnë në punë çdo ditë më pak studentëve, shtete të ndryshme vazhdojnë të shkurtojnë programet profesionale. Për shembull, në vitin 2013, Distrikti i Unifikuar i Shkollave të Los Angeles, kishte planifikuar që t’i shkurtonte gati të gjitha programet e shkollimit profesional CTE, deri në përfundim të vitit akademik. Arsyetimi, natyrisht ka qenë shkurtimi i buxhetit; këto programe (që përfshinin teknologjinë për riparim të automjeteve, mirëmbajtje të aviacionit, prodhim të audios/zërim, patundshmëri dhe fotografi) janë të shtrenjta për t’u mbajtur hapur. Por në një situatë ku 70% e studentëve të shkollës së mesme nuk vazhdojnë studimet në kolegj, ku gjysma e atyre që shkojnë të studiojnë nuk arrijnë të diplomojnë, a mund t’ia lejojmë sistemit të edukimit që të hjekë dorë nga edukimi profesional? Apo mos është në fakt shkollimi profesional njëri ndër investimet më të menqura që mund t’i bëjmë tek fëmijët tanë, bizneset tona dhe tek e ardhmja e ekonomisë së vendit tonë?

Ekonomia e SH.B.A.-ve ka ndryshuar. Sektori i prodhimit është duke u rritur dhe modernizuar, duke krijuar një pasuri të punëve që paguhen mirë, që janë sfiduese dhe kërkojnë shkathtësi për t’u kryer. Tatëpjeta e shkollimit profesional nëpër shkolla të mesme ka krijuar një mungesë të shkathtësive në sektorin e prodhimit, dhe me të ka krijuar mundësi punësimi për studentë të shkollës së mesme. Mundësi të reja janë hapur edhe për të sapodiplomuarit, që punojnë në punë për të cilat janë të mbikualifikuar, drejtpërsëdrejti në profesione e karriera interesante dhe tërheqëse. Shumica e punëve në prodhim janë të arritshme përmes praktikave, trajnimit në punë, dhe programe profesionale që ofrohen në kolegje të komunitetit apo shkolla të larta profesionale. Këto profesione nuk kërkojnë shumë shpenzime apo diploma 4 vjeçare që edhe ashtu janë të papërshtatshme për shumicën e studentëve.

Përkundër asaj që shumë prindër e besojnë, studentët që fitojnë njohuri specifike për një punë të caktuar, shpesh e vazhdojnë shkollimin e mëtutjeshëm. Vendi modern i punës i favorizon personat me shkathtësi të transmetueshme që janë të hapur ndaj fitimit të njohurive të reja. Shumica e të rinjve sot do të punojnë në punë të ndryshme përgjatë jetës së tyre, dhe një numër mjaft i madh i tyre do të kenë karriera që kërkojnë shkathtësi të reja dhe më të sofistikuara.

Vetëm para disa dekadash, sistemi ynë publik i edukimit siguronte mjaft mundësi për të rinjtë që të mësonin për karriera në prodhim dhe profesione të tjera. Megjithatë, sot, nxënësit e shkollës së mesme dëgjojnë shumë pak për edukimin profesional dhe karrierat që një shkollim i tillë mund t’i mundësojë. Mentaliteti i atillë, që thotë “kolegj për të gjithë” ka zbehur vetëdijesimin rreth mundësive të tjera të karrierave, përpos atyre që ofrohen nga shkollimi në kolegje. Kolegjet kushtojnë shumë si për individë ashtu edhe për ekonominë në tërësi. Nëse dëshirojmë që secili fëmijë të ketë sukses, duhet që t’a sjellim prapë shkollimin profesional në qendër të mësimit në shkolla të mesme.

Marrë nga Forbes: Why We Desperately Need To Bring Back Vocational Training In Schools
Comments are closed.