fbpx

E ardhmja e karrierës suaj varet nga të mësuarit gjatë gjithë jetës

Tregu i punës sot është duke ndryshuar drastikisht. Profesione e industri të tëra janë duke u zgjeruar e ndryshuar me hap të shpejtë, dhe shkathtësitë që nevojiten për të qenë në hap me punën janë duke u përditësuar në vazhdimësi.

Brenga se a do të ketë punë mjaftueshëm në të ardhmen po rritet dita ditës. Autumatizimi dhe inteligjenca artificiale kërcënojnë që të lënë pa punë jo vetëm punëtorët e krahut që performojnë në punë rutinore, por edhe nënpunësit në industri të ndryshme. Kurse angazhimi i kontraktorëve në vend të punësimit të një punëtori po e riformëson edhe më shumë marrëdhënien tradicionale punëdhënës-punëtor. Madje sot çdo herë e më shumë kontraktorë po plotësojnë role që dikur kanë qenë të rezervuara për punëtorë me orar të plotë.

Por pavarësisht prej industrisë, e ardhmja e karrierës varet nga përditësimi i shkathtësive ekzistuese. Një anketë nga Pew Research Center tregon se 87% e punëtorëve besojnë që do të jetë esenciale që të trajnohen dhe zhvillojnë shkathësi të reja përgjatë tërë jetës në mënyrë që të mund ta mbajnë hapin me ndryshimet në vendin e punës.

Nevoja për përditësimin e vazhdueshëm të shkathtësive ka ndikuar në rritjen e një sistemi të ri, që ju mundëson individëve të të gjitha moshave përfitimin e shkathtësive në cilëndo periudhë të jetës që ata janë. Një nga këto ekosisteme arsimore janë edhe shkollat e larta profesionale  që ju mundësojnë individëve të qasen në programe të ndryshme dhe të mësojnë shkathtësi të reja vazhdimisht përgjatë karrierës.

Vullneti jo vetëm i punëtorëve, por edhe i punëdhënësve, për ta përqafuar orientimin drejt të mësuarit gjatë gjithë jetës , do të ndikojë në aftësitë tona për t’ju qasur edhe sfidave më të mëdha me të cilat punëtorët sot ballafaqohen: nga mangësitë në shkathtësi, diversiteti në vendin e punës e deri tek mbajtja e talentit. Mësimi gjatë gjithë jetës nuk është më vetëm një tipar i mirë, por është një nevojë që punëdhënësit dhe punëtorët duhet ta kenë për të pasur sukses në botën e punës që vazhdimisht po ndryshon.

Artikull i përshtatur nga: Forbes
Comments are closed.