fbpx

Projekti i USAID-it dhe i shkollës “Cacttus Education” synon aftësimin dhe punësimin e të rinjve në TIK

Përfaqësues të USAID-it në Kosovë, udhëhequr nga drejtori James Hope, kanë vizituar Shkollën e Lartë Profesionale “Cacttus Education”. Vizita është bërë si rrjedhojë e bashkëpunimit ndërmjet “Cacttus Education” dhe USAID-it, në kuadër të projektit “Partneriteti për Impaktin në TIK”.

Fillimisht delegacioni i USAID-it vizitoi hapësirat e Cacttus Sh.A.  me ç’rast u pritën nga Driton Hapçiu-drejtor ekzekutiv në Cacttus Sh.A. dhe Kastriot Fazliu-drejtor ekzekutiv në Cacttus Education.  Gjatë vizitës delegacioni i USAID u njoftua përsëafërmi me punën e kompanisë, zhvillimet më të reja si dhe planet për të ardhmen. Poashtu gjatë vizitës në Cacttus Education, delegacioni u takua edhe me studentët përfitues të projektit, të cilët treguan më shumë rreth përvojave të tyre.

Kastriot Fazliu, drejtor ekzekutiv në Cacttus Education, tha se është kënaqësi që të realizohet potenciali i të rinjve kosovarë përmes projektve të tilla, siç është edhe projekti “Partneriteti për Impakt në TIK”.

Ai tha se qëllimi i gjithë kësaj është që t’i rrisin shkathtësitë në mënyrë që këtyre të rinjve t’u rriten gjasat për punësim, raporton EO.

Fazliu më tutje bëri të ditur se i gjithë projekti do të zgjasë 3 vite.

Drejtori i USAID-it, James Hope, tha se partneriteti i tillë është shumë i rëndësishëm sepse ka të bëjë me ndërtimin e shkathtësive dhe rritjen e punësimit në fushën e teknologjisë.

Ai tha se në Cacttus Education studentët janë duke marrë shkollim shumë të mirë në aspektin teorik dhe praktik.

“Është shumë e rëndësishme sepse ky partneritet ka të bëjë me ndërtimin e shkathtësive dhe rritjen e punësimit në fushën e teknologjisë. Patëm një vizitë dhe pamë se si studentët janë duke marrë një shkollim shumë të mirë edhe teorik edhe praktik”.

“Ajo që Cacttus Education po ofron janë ato shkathtësi që kërkon tregu i punës. Sjellja së bashku e këtyre shkathtësive dhe mundësive që ofron tregu ka të bëjë për rritjen e vendeve të punës në ndërmarrësi e inovacion”, shtoi James Hope.

Gjatë kohëzgjatjes së këtij programi, Partneriteti për Ndikim do të regjistrojë 40 të rinj jomjaftueshëm të punësuar dhe të papunë në programin trevjeçar të trajnimit profesional në TIK, dhe do të trajnojë edhe 260 të tjerë në fusha të ndryshme të karrierës që janë të lidhura me TIK duke përfshirë ndërmarrësinë dhe shkathtësitë e buta.

Përveç kësaj, Cacttus do të shfrytëzojë rrjetin e tij për identifikimin e mundësive për praktika profesionale, vendosje nëpër vende të punës si dhe punësim të drejtpërdrejtë të pjesëmarrësve në këtë program.

Eknonomia Online 
Comments are closed.