fbpx

Cili nga sistemet operative, iOS apo Android, sjell përfitime më të mëdha për përdoruesin?

Autori: Yll Fejziu
Mentor: Prof Mr. Azra Krasniqi
Lënda: Teoritë dhe metodat shkencore

iOS apo Android? Cili është sistemi operativ më i kompletuar në smartfonë?

Hyrje
Sistemet operative në smartfonë dhe konkurrenca mes tyre bërë është njëra ndër temat më të diskutueshme sot në botë. Sipas Gartner (2017) 99.6% e smartfonëve të rinj përdorin sistemin iOS apo Android duke lënë kështu mbrapa kompaninë Microsoft me sistemin operativ Windows.

iOS apo Android?
Përderisa të dy sistemet operative mund të ngjasojnë në shumë gjëra, të dyja kanë karakteristikat e tyre të veçanta. Për të krahasuar dy sisteme operative duhet shikuar disa pika kryesore si: çmimi, dizajni, aplikacionet, siguria, bateria, mundësia e modifikimit, kamera, thjeshtësia e të përdorurit, updates, ekosistemi.

Apple me sistemin operativ iOS është e njohur për çmimet më të larta në treg. iPhone X ka çmim fillestar prej $1,000 në treg, ndërsa iPhone 8 dhe iPhone 8+ kanë çmimin $700 dhe $800. Çmime të tilla nuk është se nuk ka në telefonat me sistem Android mirëpo janë më të rralla p.sh. Google Pixel 2 apo Samsung Galaxy Note 8, megjithatë në këtë platformë mund të gjeni variante të ndryshme të telefonave që janë më të lirë dhe kështu të kurseni buxhetin tuaj. Prandaj Android e fiton këtë garë.

Dizajnimi i sistemit operativ është një gjë relative dhe mund të jetë preferencë personale e secilit person, mirëpo sistemi iOS është më i renditur e rregulluar mirë në krahasim me sistemin operativ Android.  Sipas Digital Trends (2018), iOS është më i lehtë për të naviguar dhe më mirë i optimizuar edhe pse Android është më i pasur në aspektin e features, apo kustomizimit. Në iOS gjërat janë më lehtë dhe më shpejt të arritshme. Prandaj iOS e fiton këtë betejë.

Aplikacionet për nga kuantiteti janë më të shumtë në Android, ku ekzistojnë rreth 2.8 milionë aplikacione ndërsa në iOS ekzistojnë rreth 2.2 milionë. Mirëpo numrat nuk janë matësit më të mirë në këtë rast. iOS ka qenë gjithmonë më tërheqës për zhvilluesit e aplikacioneve, ndonëse kjo është edhe arsyeja se pse aplikacionet publikohen së pari në iOS pastaj në Android. Gjithashtu vlen të përmendet se këto aplikacione janë më mirë të optimizuara në sistemin iOS, prandaj këtë betejë e fiton iOS.

Privatësia dhe siguria janë ndër gjërat prioritare në sistemin iOS, prandaj dhe iOS në këtë aspekt ka lënë mbrapa Androidin. Update-at në iOS janë shumë më të shpejtë dhe më të shpeshtë në iOS sesa në Android. Sipas Tabenaum (2014 fq. 251) “Apple enkripton të dhënat ashtu që edhe vetë ata të mos kenë qasje në to, ndërsa Google përdor të dhënat tuaja për të shitur reklama më adekuate për ju”. Pa dyshim iOS është platforma më e sigurtë dhe më e mirë për sa i përket mbrojtjes së privatësisë së përdoruesit. Bateria ka qenë dhe është një nga shqetësimet e të gjithë përdoruesve të smartfonëve i cili poashtu është një faktor shumë i rëndësishëm. Është e vështirë të bëhet krahasim i baterive mes dy platformave të ndryshme me harduer të ndryshëm, mirëpo është evidente që pajisjet Android priren që të kenë kapacitet të baterisë më të lartë. Sa i përket mbushjes së pajisjeve, edhe në këtë pikë Android ka vite që ka avantazh pasi që ka ofruar “fast charging” e poashtu edhe “wireless charging”.

Kustomizimi dhe mundësia e modifikimit të sistemit operativ ka qenë gjithmonë njëra ndër armët më të forta të sistemit operativ Android. Është shumë e lehtë që të ndryshoni pamjen e telefonit tuaj duke shtuar ‘theme’ apo ‘widgets’ të ndryshëm. Për dallim nga Androidi, iOS gjithmonë ka limituar lirinë për kustomizimin dhe modifikimin e dukjes së sistemit operativ duke lënë kështu si zgjedhje të vetme e të pandryshueshme atë që Apple e sheh si të arsyeshme që ta vendosë. Në këtë pikë fitues është Android lehtësisht.

Kamera ndonëse është specifike për secilin telefon dhe nuk varet tërësisht prej sistemit operativ. Në këtë kategori poashtu është pak e vështirë për tu caktuar një epilog. Kamerat e Apple tregojnë ngjyra dhe detaje më natyrale në krahasim me ato të Androidit që priren për të krijuar ngjyra më vibrante dhe të ndezura. Megjithatë, sipas DxOMark (2018) telefoni me kamerën më të mire është Huawei P20 Pro. Pas tij vijnë Huawei P20, Samsung Galaxy S9 Plus, Google Pixel 2. Të gjithë të lartpërmendurit janë smartfonë të cilët përdorin sistemin operativ Android. Në rënditje pastaj vjen iPhone X nga Apple. Prandaj mund të themi se Android fiton edhe këtë garë.

Mbizotëron koncepti se Android është platformë më e ndërlikuar sesa iOS përderisa iOS është më i thjeshtë dhe më i lehtë për tu përdorur. iOS është uniform në të gjitha pajisjet me sistem operativ iOS ndërsa Android paksa dallon në pajisje të ndryshme që përdorin këtë sistem operativ. Gjithashtu iOS është më pak i ngarkuar dhe më i efektshëm në krahasim me shumicën e telefonave Android. Prandaj fitues në këtë pikë është iOS.

Freskimi me update është poashtu njëra nga kapitalet më të forta të sistemit operativ iOS, ku mposhtë Androidin plotësisht. Kur Apple lëshon ndonjë update, të gjithë smartfonët iOS e marrin atë në të njëjtën kohë. Kjo fatkeqësisht nuk ndodh edhe me smartfonët Android pasi që update-at lëshohen në kohë të ndryshme për telefonë të ndryshëm. Sipas Skycure (2018) 71% e pajisjeve Android nuk kanë marrë ende update-at e fundit të sigurisë. Prandaj mund të themi lirisht se Apple është një hap përpara në këtë aspekt.

Ekosistemi është duke u shndërruar në faktor kyç për sa i përket përdorimit të pajisjeve me sisteme operative iOS apo Android. Nëse pytni dikë se pse ata përdorin iPhone, në shumicën e rasteve përgjigja ka të bëjë me ekosistemin. Sipas MKBHD (2018), ekosistemi është një komunitet i bashkëveprimit të pajisjeve të ndryshme. Apple krijon pajisje të ndryshme si: iPhone, iPad, Mac, Apple Watch, Apple TV, Airpods. Mirëpo gjithashtu ata krijojnë teknologji dhe softuer të ndryshëm që i lidhin këto pajisje ndërmjet veti si: AirPlay, AirDrop, iCloud. Prandaj nëse shpenzon në ndonjërën prej këtyre pajisjeve, vetëvetiu joshesh për të blerë produkte tjera që përmirësojnë kualitetin e pajisjes tuaj. Shumë kompani kanë krijuar ekosistemin e tyre mirëpo çka e bën ekosistemin e Apple më unik është se sa mirë këto pajisje komunikojnë e bashkëveprojnë mes veti dhe muret që kanë krijuar me pajisjet tjera që nuk janë iOS. Prandaj edhe dalja nga ekosistemi është e vështirë për tu realizuar pasi që nëse ndërron njërën nga këto pajisje, detyrimisht tjerat shndërrohen në të pavlefshme. Prandaj Apple edhe në këtë pikë e fiton betejën.

Konkluzion
Edhe pse në fund të fundit, përzgjedhja mes këtyre dy sistemeve operative qëndron në nevojën dhe preferencën personale, mirëpo duke pasur parasysh se iOS doli fitues në gjashtë nga dhjetë garat e lartpërmendura, tani për tani ai mbetet sistemi operativ më i përkryer.
 
Referencat

  1. Tanebaum, A. (2014) Modern Operating Systems: Global Edition. 4th London: PEARSON
  2. Gartner (2017) 99.6 percent of new smartphones run Android or iOS [online]. Available from: https://www.theverge.com/2017/2/16/14634656/android-ios-market-share-blackberry-2016 [çasur më 3 prill 2018].
  3. DigitalTrends (2018) Android vs iOS [online]. Available from:https://www.digitaltrends.com/mobile/android-vs-ios/ [çasur më 3 prill 2018].
  4. DxOMark (2018) Mobile reviews [online].  Available from: https://www.dxomark.com/category/mobile-reviews [çasur më 3 prill 2018].
  5. Skycure (2017) Mobile threat intelligence report [online]. Available from: https://www.symantec.com/connect/blogs/mobile-threat-intelligence-report-2016-review [çasur më 3 prill 2018].
  6. MKBHD (2018) The Apple ecosystem explained. Available from: https://www.youtube.com/watch?v=KB4_WIPE7vo&t=315s [çasur më 3 prill 2018].
Comments are closed.