fbpx

10 shkathtësi kyçe që ekspertët i kërkojnë kur përzgjedhin rezymetë

Përzgjedhja mes grumbujve të cover letters dhe rezumeve është pjesë e procesit të rekrutimit. Por edhe pse  kandidatët mund të përfshijë një numër të madh të shkathësive apo aftësive, jo të gjitha janë të rëndësishme për punëdhënësin. Por, në vijim do të paraqesim disa prej tipareve, apo shkathtësive që u bijnë në sy punëdhënësve.

  1. Paraqitja e vlerave

Është e rëndësishme të ceken pozitat që i ke pasur me një shumë të caktuar parashë që kanë ardhur si rrjedhojë e vendimeve që i ke marrë, sepse kjo e reflekton dhe e bën më të dukshme se ti si individ je në gjendje të marrësh vendime të mira për kompaninë.

  1. Lidhni shkathtësitë me rezultate

Shkathtësitë teknike janë të mira, por edhe më mirë është kur tregon se cilat problem i ke zgjidhur me ato shkathësi. Prandaj bëni që rezymeja juaj të reflektojë rezultatet që i ke arritur dhe cilat shkathtësi i keni përdorur për t’i arritur ato rezulate.

  1. Kumuniko qartë

Të dhënat që i përfshinë në CV apo rezyme duhet të jenë të detajuara mirë, e poashtu duhet të tregojnë se je në gjendje të komunikosh mirë e qartë me personat tek të cilët raporton.

  1. Shkruaj bukur

Në këtë rast të shkruash bukur është të shkruash pa gabime dhe të jesh në gjendje t’i shprehësh mendimet në mënyrë të qartë dhe të përmbledhur mirë. Është befasuese se sa shumë prej kandidatëve që aplikojnë për punë ju mungojnë shkathtësitë elementare në të shkruar, prandaj nëse shkruan bukur, shumë lehtë zhvendoseni në krye të listës së personave që do të ftohen në intervistë.

  1. Përshtatesh lehtë

Në tregun dinamik të punës, një kompani ka nevojë për punëtorë që janë fleksibil dhe janë në gjendje të adaptohen lehtë. Personat që adaptohen lehtë jo vetëm që janë në gjendje të reagojnë më shpejtë në rrethana të ndryshueshme në fushën e biznesit, por zakonisht janë në gjendje të menaxhojnë detyra të ndryshme njëkohësisht.

  1. Tregoni rritje në punë

Kjo zakonisht shprehet përmes rritjes në pozitë brenda një kompanie. Në përgjithësi, kjo do të thotë se ke filluar mirë në rolin e tënd në fillim dhe ke performuar mjaft mirë në vijim sa për të dëshmuar se ke gatishmëri për të marrë më shumë përgjegjësi.

  1. Posedoni shkathtësi të një lideri

Punëdhënësit preferojnë shkathtësi të menaxhimit të programeve dhe projekteve para shkathtësive teknike. Kur një aplikant mund të demonstrojë se posedojnë shkathtësinë për të lehtësuar projektet sukseshëm, kjo tregon se ata posedojnë shkathtësi të mira të lidershipit.

  1. Mendoni në mënyrë kritike

Vet mënyra se si një rezyme është e përpiluar jep më shumë informata për kandidatin, dhe flet për aftësinë e personit për të përzgjedhur atë që është më të vërtetë e rëndësishme, prej shumë opsioneve të tjera. Aftësia për të menduar në mënyrë kritike dhe për t’u koncentruar në aspektet e rëndësishme, duke anashkaluar informatat që nuk janë të rëndësishme, është njëra ndër shkathtësitë kryesore që duhet ta keni parasyshë.

  1. Flisni për qëllimet

Kur punëdhënësit potencial lexojnë rezymetë, kandidatët që shkruajnë për qëllimet që i kanë caktuar dhe i kanë arritur bijnë në sy më së shumti. Duke mësuar për qëllimet e aplikuesve për të ardhmen (qëllimet afat-gjata dhe afat-shkurta) dhe si ja kanë arritur t’i realizojnë objektivat e kaluara janë një pasqyrë e mirë e etikës së punës dhe shkathtësive për zgjdhjen e problemeve.

  1. Keni integritet

Edhe pse shkathtësitë janë mjaft të rëndësishme, punëdhënësit preferojnë integritetin. Shkathtësitë mund të zhvillohen, por një person jo i sinqertë, pa marrë parasyh se sa i shkathët është gjithmonë do të ketë vështirësi në fitimin e besimit të plotë. Warren Buffet ka thënë: “Kërkojini këto tri kualitete: integritetin, inteligjencën dhe energjinë. Dhe nëse ju mungon e para, dy të tjerat do t’ju dëmtojnë.”

Artikull i përshtatur nga Forbes

7 Këshilla për studentë, për menaxhimin efektiv të kohës

Me periudhën e provimeve që po afrohet është koha të mendoni se si të bëheni më të mirë në menaxhimin e kohës dhe të organizoni ditët për të qenë në gjendje t’a mbani balancin mes jetës në shtëpi, punë dhe universitet. Si fillim ju sugjerojmë të provoni të hani më shumë ushqim të shëndetshëm për tru (brain food)- dhe jo, nuk hyjnë këtu qipsat dhe pijet energjike!

Duke marrë pak kohë për të aranzhuar prioritetet tuaja, ju ia jepni vetës shansin më të mirë për të qëndruar në binarë dhe të organizuar gjatë  periudhës së provimeve, që si rezultat ju ndihmon t’a ulni stresin dhe e bën dallimin mes suksesit apo dështimit në studime.

Hidhuni një sy këtyre 7 këshillave për menaxhimin e kohës, që ju tregojnë se si mund ta bëni maksimumin gjatë studimeve dhe  poashtu të gjeni momente për t’u relaksuar dhe madje ndoshta edhe të fitoni pak para anash.

  1. Çfarë duhet të bëni?

Faza e parë e përmirësimit të menaxhimit të kohës është të listoni absolutisht gjithçka që duhet të bëni. Mund të tingëllojë si e dukshme, por duke folur nga përvoja, shumica e studentëve i lënë detyrat e rëndësishme në fund, gjë që mund të ndikojë në kualitetin e punës së tyre dhe në notën mesatare.

Përfshini të gjitha afatet si dhe cilindo ndryshim në listë, dhe mbani shënime se sa kohë ju merr nga orari secili prej prioriteteve.

  1. Krijoni një orar të jetës

Pa marrë parasysh se a është një tabelë e thjeshtë, orar apo kalendar në telefonin tuaj, gjeni një vegël për organizim që funksionon për ty, dhe shtojeni aty listën tuaj me prioritete. Ekzistojnë edhe shumë aplikacione për menaxhimin e kohës që ju ndihmojnë për këtë, siç është Trello apo Wunderlist. Poashtu, mendoni për kohën kur jeni më vigjilent, në mënyrë që t’i planifikoni periudhat e të mësuarit rreth asaj kohe.

Gjeni kohë për t’u shoqëruar, por poashtu sigurohuni që të bëni gjumë të mjaftueshëm. Shumicës së njerëzve i nevoiten mes 7 deri në 8 orë gjumë për çdo natë, për të qenë të fokusuar dhe vigjilentë gjatë periudhave të mësimit.

  1. Bëhuni fleksibilë por edhe realistë

Në mënyrë tipike, leni rreth 8-10 orë në ditë për të punuar, mësuar, shoqëruar dhe gjëra të tjera praktike që duhet t’i bëni. Si student me orar të plotë, pritet që t’ia dedikoni 35 orë në javë studimeve universitare, përfshirë edhe kohën që e kaloni në seminare dhe ligjërata. Nëse shpenzoni vetëm 15 orë në javë duke ndjekur ligjëratat, duhet të shpenzoni edhe 20 orë shtesë për të mësuar në mënyrë të pavarur.

Poashtu është e rëndësishme të mbani mend se gjërat shpesh marrin më shumë kohë sesa është paraparë. Prandaj lejojini vetës pak kohë shtesë për detyrat që marrin më shumë kohë sesa është planifikuar.

  1. Ndani kohë për të planifikuar në mënyrë që të shmangni përsëritjet

Jepni vetes kohë për të hulumtuar, planfikuar dhe menduar për punën tuaj sepse kjo gjë është qenësore për menaxhimin e mirë të kohës. Ia lejoni vetës kohë për t’i procesuar informatat e reja dhe planifikoni se si do t’i përdorni, pasi që kjo ju ndihmon të shmangni ri-leximet apo të përsërisni cilindo hulumtim.

Një mënyrë e planifikimit efektiv para hulumtimit është të krijoni një listë ku shkruani gjithçka që dëshironi të mësoni, dhe në këtë mënyrë mund të mbani shënime për secilën pyetje që e keni.

  1. Shmangni zvarritjet e kohës dhe hutimet

Një mënyrë për shmangjen e zvarritjes së gjërave është të mendoni për vendet e ndryshme ku keni qenë kur keni mësuar-në cilat vende keni qenë më i fokusuar gjatë mësimit? Ku keni qenë më i hutuar? A ka diçka që mund ta bësh për ta bërë procesin e të mësuarit më të këndshëm?

Mbani mend, çka funksionon për dikë tjetër mund të mos funksionojë për ty. Për disa, studimi së bashku me shoqëri mund t’ua limitojë produktivitetin. Por për të tjerët, mësimi në grupe mund të ndihmojë në rritjen e motivimit dhe shmangien e shtyerjes së gjërave për më vonë. Punën në grupe mund edhe ta organizoni përmes aplikacioneve të ndryshme siç është Slack.

  1. Bëni ushtrime në mes të sesioneve të mësimit për t’i qartësuar mendimet

Ushtrimet kanë efekt të njejtë si gjumi. Ju ndihmojnë t’a fokusoni mendjen duke ju ndihmuar t’i qartësoni mendimet dhe rrisni fuqinë e trurit. Nëse nuk keni bërë ushtrime më herët, synoni të fusni një vrapim 10 minutësh aty këtu, duke rritur ngadalë kohëzgjatjen e ushtrimeve me kalimin e kohës.

  1. A ka qenë organizimi dhe planifikimi juaj efektiv?

Vazhdimisht rishikoni dhe rivlerësoni orarin tuaj sepse kjo ju ndihmon të mësoni se a keni nevojë për shumë ndryshime për t’ju ndihmuar të plotësoni cilëndo detyrë universitare dhe të keni kohë të mjaftueshme për t’u relaksuar dhe të kaloni kohë me miqtë dhe familjen.

Artikull i përshtatur nga: TopUniversities

Mësoni gjuhën programuese Scratch në CacttuKids

Programi për kodim CacttuKids ka filluar me grupet e reja të kurseve për fëmijë dhe adoleshentë. Tani, të rinjtë në CacttuKids kanë mundësi që çdo të shtunë të mësojnë gjuhën programuese Scratch, ku ne presim gjithë entuziazmin dhe kreativitetin e tyre. Gjatë dy muajve të rinjtë do të mësojnë të programojnë projekte me anë të Scratch, do të argëtohen përmes aktiviteteve të ndryshme, do krijojnë shoqëri të re dhe do ndajnë pasionin për teknologji me të tjerët.

Me anë të këtij kursi, fëmijët në CacttuKids nuk do të mësojnë vetëm si ta përdorin gjuhën programuese Scratch por edhe si të zgjidhin probleme në mënyra interesante dhe të krijojnë gjëra të bukura me ndihmën e një kompjuteri.  Në CacttuKids, përmes programit Scratch, fëmijët dhe adoleshentët do të kenë mundësi programojnë storjet e tyre interaktive, lojërat dhe animacionet, e të cilat mund t’i ndajnë me  komunitetin online dhe shoqërinë e tyre. Scratch u ndihmon të rinjve të mësojnë se si të mendojnë në mënyrë kreative, kritike dhe të punojnë në ekip , e cila mund të thuhet se është një aftësi thelbësore për jetën në shekullin e 21-të.

Ky program është i projektuar për të qenë argëtues, edukativ dhe i lehtë për t’u mësuar. Në Scratch përdoren mjete për krijimin e storjeve interaktive, lojërave, artit, simulimeve dhe më shumë, duke përdorur programimin me anë të blloqeve. Trajnimet me anë të gjuhës programuese Scratch përdoren kryesisht për një sërë qëllimesh arsimore dhe argëtuese duke u nisur nga projektet e matematikës dhe shkencës, deri tek storjet e animuara të shkencave shoqërore dhe artit interaktiv.

Scratch është program që mësohet në gjithë botën, i themeluar nga MIT Media Lab. Ky laborator kërkimor është pjesë e Institutit të Teknologjisë të Massachusetts, i përkushtuar për projektet që kanë të bëjnë me konvergjencën e teknologjisë, multimedia, shkenca dhe dizajn.

Në CacttuKids, fëmijët dhe adoleshentët kanë mundësi të programojnë me Scratch me ndihmën e instruktorëve profesional të kësaj fushe. E shtuna në CacttuKids, i takon eksperiencave të reja, eksplorimit të botës së teknologjisë dhe krijimit të projekteve që vijnë nga imagjinata e secilit fëmijë.

Ju presim çdo të shtunë, nga ora 10:00.

Regjistrohu këtu, deri më 1 dhjetor 2017!